Elis Bakaj nënshkruan me kampionët e Shqipërisë: Jam këtu për të fituar trofe

Elis Bakaj është afrimi më i ri i Kukësit. Sulmuesi ka nënshkruar kontratën dhe është prezantuar nga klubi ditën e sotme. Futbollsti ka folur edhe për medie nga zyrat e klubit, paraditën e sotme. 30-vjeçari është shprehur mjaft i lumtur për kalimin te kampionët e Shqipërisë dhe beson se me verilindorët do të arrijë të mbrojë titullin kampion.

 

Kukësi – “Të luash me një ekip kampion siç është Kukësi, që ka bërë diferencat në vitet e fundit si në Europë ashtu dhe në kampionatin shqiptar, nuk ka qenë zgjedhje fare e vështirë për mua. Është e vërtetë që kemi pasur bisedime dhe me ekipe të tjera, por kjo është diçka e kaluar dhe nuk më intereson shumë për momentin. Më intereson që jam pjesë e ekipit kampion të Kukësit, një ekip që gjithmonë pretendon për trofe. Jam i kënaqur që sot e mbyllëm me sukses kalimin tim te Kukësi”.

 

Objektivat –  “Nuk mund të flas për objektivat personale, pasi këtu kam ardhur që të plotësoj objektivat e klubit, pak rëndësi kanë objektivat e lojtarëve. Duke ecur klubi dhe lojtarët normalisht do të spikasin. I rëndësishëm është klubi, më pas vijnë lojtarët”.

Premtimi për tifozët – “Premtoj që do të jap maksimumin çdo sekond. E kam vërtetuar në çdo skuadër që kam shkuar kam dhënë maksimumin. Aq më tepër tek Kukësi, ku duhet të japësh 200% pasi objektivat janë akoma më të mëdha. E rëndësishme është që kemi një ekip me lojtarë cilësor. Na mbetet të flasim në fushë, pasi fjalët janë të tepërta. E rëndësishme të arrijmë objektivat e klubit”.

Krahasimi me Pejiçin –  “Çdo lojtarë ka emrin e tij. Pejiç është Pejiç dhe Bakaj është Bakaj. Çdo njeri duhet të vijë me emrin e tij dhe jo me të kaluarën e një lojtari tjetër. E thashë edhe më parë, kam emrin tim dhe do të mundohem të bëj në fushë që njerëzit ta respektojnë emrin tim”.

 

 

Leave a Reply