HISTORIK I SHKURTËR PËR F.K. KUKËSI

Ekipi i futbollit F.K. Kukësi, është pjesëmarrës në Superligën Shqiptare që nga sezoni 2012 e në vijim, duke dalë tre herë rradhazi nënkampion i vendit dhe një herë në vendin e tretë. Ka fituar kupën e Shqipërisë dhe ka dalë finalist i kupës së Shqipërisë edhe në dy sezone të tjera. Gjithashtu ai është pjesëmarrës që nga viti 2013 në Europa Ligë, dukë arritur deri në turin e katërt të saj. F.K. Kukësi më 20 prill të këtij viti shënoi 86- vjetorin e krijimit të tij dhe në pesë vitet e fundit si askush tjetër ka arritur një sukses historik, nga kategoria e fundit në majën e futbollit shqiptar. Pasi u shpall kampion në kategorinë e dytë në vitin 2011, Kukësi kaloi në të parën dhe më pas në Superligë. Ndër vite ka ndryshuar dhe statusi i tij. F.K. Kukësi është themeluar me datë 29.08.2011 bazuar në akt- themelimin për statusin e shoqërisë aksionere, si dhe në bazë të ligjit Nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për Tregëtarët dhe Shoqëritë Sportive (i ndryshuar)”. Në atë kohë aksionet ndaheshin si më poshtë: Safet Gjici 33.33% të aksioneve, Ram Geci 33.33% të aksioneve dhe Flamur Hoxha 33.33 % të aksioneve. Më datë 08.08.2012 Futboll Klub Kukësi SH.A. është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit me objekt; “Organizimin i Aktiviteteve Sportive të Futbollit.” Ndër vite disa prej aksionerëve u larguan dhe tani e drejton klubin z. Safet Gjici i vetëm, që ka rreth 90 % të aksioneve, pasi Bashkia Kukës që ka mbetur aksioneri i dytë dhe nuk ka dhënë asnjë lekë në vitet e fundit duke i çuar drejt zeros aksionet e saj. Presidenti shlyen të gjitha detyrimet ndaj lojtarëve dhe organizmave të futbollit duke përballuar një buxhet mbi një milion euro në vit.

Sezoni 2013 – 2014
Edhe ky sezon do të cilësohet si mjaft i suksesshëm edhe pse ekipi nuk mori titullin kampion, apo kupën e Shqipërisë, që ishin objektiva madhorë të tij. Kukësi u rendit i dyti në tabelën e klasifikimit më 57 pikë, pas Skënderbeut kampion. Ekipi në Superligën me tre faza arriti 16 fitore, 9 barazime dhe 8 humbje, me 46 gola të shënuar dhe me 34 të pësuar. Pas përfundimit të sezonit futbollistik 2013-2014, Kukësi u bë pjesëmarrës për të dytën herë rradhazi në Europa Ligë. Shorti këtë herë e vuri përballë një kundërshtari të fortë dhe të largët siç ishte Kairat , Almaty (Kazakistan). Në ndeshjen e parë zhvilluar më 3 korrik 2014,në Kazakistan, Kukësi humbi 1-0, me një gol në minutën e 90-të, ndërkohë që një javë më vonë në Tiranë, ndeshja e kthimit u mbyll 1-1, rezultat që ndërpreu udhëtimin europian të Kukësit.
Sezoni 2014 – 2015
Fundi i sezonit futbollistik 2014-2015 edhe pse cilësohet si i sukseshëm, nuk solli përmbushjen e dy objektivave madhorë tek F.K. Kukësi, siç ishin marrja e titullit kampion dhe kupa e Shqipërisë. Ekipi u rendit sërish në vendin e dytë si nënkampion i vendit për të tretën herë rradhazi, duke grumbullur 75 pikë, me 59 gola të shënuar dhe 27 të pësuar. Në 36 ndëshje të zhvilluara, ekipi mori 23 fitore, 6 barazime dhe 7 humbje. Sulmuesi i Kukësit Pero Pejiç, u shpall fitues i “Këpucës së Artë”, me 31 gola në Superligë dhe 5 në Kupë. Kukësi në këtë edicion ishte dhe ekipi që shënoi më shumë gola. Edhe në Kupën e Shqipërisë, Kukësi bëri prezantim dinjitoz duke arritur deri në finale me Laçin, finale që e humbi me rezultatin 2-1. Finalja e kompeticionit 2014-2015, ishte e dyta finale e humbur, pasi një vit më parë Kukësi e kishte humbur kupën me Flamurtarin. Gjatë edicionit 2014-2015, u renditën në vende të dyta në Kategorinë e Parë edhe ekipet zinxhir U-17 dhe U-19.
                                              Sezoni 2015 – 2016
Në sezonin futbollistik 2015-2016 F.K. KUKËSI, siguroi pjesëmarrjen në Europa Ligë edhe nëpërmjet renditjes në kampionatit edhe nëpërmjet fitimit të kupës së Shqipërisë. F.K. Kukësi fitoi për herë të parë një trofe. Kupa e Shqipërisë shkoi në Kukës, pasi ekipi përshkroi një rrugë të suksesshme drejt këtij trofeu. Përgjatë garës Kukësi elmioni Naftëtarin, Ilirinë, Flamurtarin dhe Teutën. Në ndeshjen finale, të zhvilluar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në Tiranë më 22 maj 2016, Kukësi fitoi me penallti ndaj Lacit 5-3, pasi loja e rregullt dhe shtesa përfundoi 1-1. Për herë të parë, me insistimin e F.K. Kukësit, FSHF-ja solli arbitra të huaj me stemë të FIFA-s që të arbitrojnë sa më drejt këtë finale shumë të rëndësishme. Treshja italiane e përbërë nga Marco Guida kryesor, me ndihmësa: Lorenco Manganelli dhe Alesandro Costanzo, të ndihmuar dhe nga arbitri i katërt shqiptar Enea Jorgji dhe vëzhgues Sokol Jareci, treguan nivel të lartë në adminsitrimin e ndeshjes. Tre ditë më vonë në sheshin “Skënderbej” në Kukës, u organizua një festë madhështore për fitimin e trofeut. Këtë manifestim dhe këtë trofe Kukësi nuk e kishtë parë asnjëherë, por vetëm e kishte ëndërruar. Presidenti z. Safet Gjici me mbështetjen e pakufishme që i dha ekipit dhe i vetëm në financim për të gjithë veprimtaritë, mundësoi këto rezultate dhe nivele të larta në futbollin e Kukësit. Ndërsa në Superligë ekipi u rendit i treti. Në 36 ndeshje të zhvilluara mori 63 pikë duke siguruar 1.75 pikë për ndeshje, me golavarazh të përgjithshëm 41 gola të shënuar dhe 25 të pësuar, 1.53 gola të shënuar në një ndeshje dhe gati dy herë më pak të pësuar. Në total Kukësi siguroi 18 fitore, 9 barazime dhe 9 humbje. Jashtë fushe Kukësi sigurio 5 fitore, 7 barazime dhe 6 humbje. Brenda në fushën e vet ekipi mori 13 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Golashënuesi më i mirë i ekipit u shpall Izair Emini me 10 gola, ndërkohë që Mateus Lima mbeti në kuotën e 7 golave. Suksese dhe kupa në përfundim të sezonit 2015-2016, morën edhe ekipet U-17 dhe U-19, që u shpallën kampionë në kategoritë e parë dhe sezonin e ardhshëm do jenë pjesë e Superligës Shqiptare për të rinjtë. Ndërsa ekipi Kukësi B, u shpall kampion që në debutimin e parë në ligën amatore dhe në sezonin e ardhëshëm do jetë pjesë e kategorisë së dytë.
Infrastruktura
F.K. Kukësi, trashëgonte një infrastrukturë të rrënuar, por me daljen në Superligë u modernizua tërësisht ajo. U ngrit në një kohë rekord stadiumi “Zeqir Ymeri“, me 5 mijë vende dhe më elementët e duhur për zhvillimin e garave kombëtare. Ekipi i zhvillon ndeshjet në këtë stadium, ku ka dhe vendet e duhura për tibunën vip, gazetarët, dhomat e zhvjeshjes për ekipet, për arbitrat, si dhe gjithë mjediset e duhura për funksionimin e klubit. Stadiumi ka edhe vendet e përshtatëshme për reklama. Të gjitha ndeshjet që zhvillon Kukësi brënda dhe jashtë vendit janë në transmetim të drejtëpërdrejtë dhe në paketat satelitore.

Leave a Reply