Kukësi ka humbur në takimin e sotëm ndaj kryesuesve të Skënderbeut, në një ndeshje direkte për titullin kampion. Një ndeshje kjo e cila kishte vlerë të dyfishtë, pasi përballeshin kampionët e Shqipërisë me kryesuesit aktualë. Skënderbeu arriti të fitonte me rezultatin 2-1, ndërsa trajneri i Kukësit, Milinkoviç në një intervistë për “Rtsh Sport” është shprehur se në ndeshjen e sotme nuk është vendosur asgjë për fatin e kampionatit.
Ndeshja kundër Skënderbeut
“E prisnim një ndeshje të vështirë pasi luanim ndaj një kundërshtari shumë të vështirë. E dinim nivelin e Skënderbeut por prisnim mundësitë tona në këtë takim. Në pjesën e dytë kishim mundësitë tona dhe kjo nuk është justifikim por nëse Guri do të kishte shënuar, gjërat do të ishin ndryshe. Kemi gabuar gjithmonë në pasimin e fundit edhe kur Skënderbeu ishte me 10 lojtarë, gabonim aty. Kishim një 10 minutësh të mirë në këtë ndeshje, por nuk arritëm të finalizonim.”
Renditja aktuale
“Siç e thashë dhe dje në konferencë ,kjo ndeshje nuk vendos gjithçka për kampionatin. Pavarësisht diferencave, kampionati është ende i gjatë dhe asgjë nuk është mbyllur në ditën e sotme.”
Organika e ekipit
“Natyrisht që duhen bërë ndryshime dhe në ndërrimet tona ishin vetëm futbollistë të rinj, nuk kemi lojtarë cilësorë të cilët të futen nga pankina dhe të ndërrojnë fatin e takimit, prandaj duhet bërë me patjetër merkato nga ana e klubit”, përfundoi trajneri i Kukësit.