Skuadra e Kukësit B do të nisë ditën e nesërme kampionatin e Kategorisë së Dytë. Klubi i dytë i Kukësit do të luajë përballë Mamurrasit, prej orës 14:30, në stadiumin \”Zeqir Ymeri\”. Vëmendja e klubit verilindor është edhe te kjo skuadër në përgatitjen e elementit cilësor për ekipin e parë.
Trajneri Edmond Dalipi ka punuar me grupin e lojtarëve prej 2 muajsh dhe tashmë është gjithçka gati për fillimin e sezonit të ri. Skuadra e Kukësit B ka pretendimet e veta për këtë sezon, synimi madhor është kalimi në Kategorinë e Parë.
Trajneri Edmond Dalipi ka folur për faqen zyrtare të klubit në lidhje me fillimin e kampionatit. \”Kemi punuar për ta nisur mirë kampionatin. Jemi një grup i mirë, pasi disa nga lojtarët që kanë mbyllur sezonin e vjetshëm janë pjesë e ekipit edhe për këtë edicion. Ruajtja e boshtit është diçka e mirë për ne. Natyrisht që objektivi kryesor është kalimi dhe përgatitja e elementit cilësor për ekipin e parë. Megjithatë, skuadra ka objektiva për kalimin në Kategorinë e Parë\”, – përfundon trajneri Dalipi.