Klubi i Kukësit është i detyruar të reagojë në lidhje me deklaratat e drejtorit të Partizanit, Edmond Haxhija, në të përditshmen \”Panorama Sport\”, për favorizimin e ekipit verilindor në ndeshjen kundër Laçit. Vëmë re se gjuha e përdorur dhe akuzat e hedhura nuk janë aspak korrekte dhe sigurisht të gabuara. Kush e ka parë ndeshjen ndërmjet Kukësit dhe Laçit arrin të kuptojë qartë se takimi u fitua me meritë të plotë nga skuadra vendase dhe me diferenca në nivelin e lojës. Gjithashtu duam të shtojmë se ishte ekipi i Kukësit që u penalizua nga gjyqtari Kridens Meta, pasi nuk akordoi një penallti të pastër për Kalenë, kur u kap brenda zonës nga mbrojtësi Lulaj.
Deklaratat e drejtorit të Partizanit janë me qëllim të qarta prishjen e atmosferës pozitive dhe \”fair-play\” para ndeshjes me Kukësin. Ata kanë për qëllim të ushtrojnë presion ndaj arbitrave dhe FSHF-së, ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë sezonit. Klubi i Kukësit i fton homologët e tyre që para se të hidhen në sulme të pamatura për ekipin tonë të kthejnë kokën mbrapa dhe të shohin penalltinë e akorduar në favor të tyre në derbin kundër Tiranës, e pamerituar në rastin e Bathës, dhe ta krahasojnë me rastin e Kalesë, në ndeshjen ndaj Laçit, që nuk u dha në mënyrë flagrante nga gjyqtari Meta.
E dimë se presioni i fundit të kampionatit është rritur, por kjo nuk do të thotë që duhet të hidhet baltë mbi punën e madhe dhe djersën e djemve në fushën e lojës. Kukësi është ekipi i vetëm që nuk ka humbur asnjë ndeshje gjatë gjithë kampionatit, duke thyer edhe rekorde. Kjo falë punës së madhe nga presidenti i klubit Safet Gjici e deri te stafi i ekipit. Duam që atmosfera para ndeshjes me Partizanin të jetë korrekte dhe e qetë, por deklarata të tilla po kërkojnë ta prishin atë. Ne i garantojmë edhe tifozerisë kuksiane se klubi ynë nuk do të bie në batakun e thashethmnajave të tilla që nuk kanë asnjë provë dhe bazë, por janë të shpërndara në ajër. Përkundrazi, do të jemi më të bashkuar se kurrë!