Skuadra e F.K. Kukësit duke shfrytëzuar pushimin e kampionatit ka fiksuar një miqësore ditën e shtunë me Lirinë e Prizrenit. Marrëdhëniet e mira që kanë të dy klubet kanë bërë që ekipi verilindor të bie dakort për të udhëtuar ditën e shtunë, më 25 mars, në qytetin e Prizrenit. Takimi do të zhvillohet në stadiumin \”Përparim Thaçi\”, në orën 15:00.
Shefi i Klubit, Jonuz Hallaçi, ka dhënë më shumë detaje për këtë sfidë miqësore në një prononcim të tij për sajtin e klubit. \”Duke parë që kampionati është pushim menduam që ta shfrytëzonim këtë javë për të zhvilluar një ndeshje miqësore me Lirinë e Prizrenit. Kjo ndeshje zhvillohet për të mbajtur në tonus ekipin dhe për të mos ulur rendimentin e skuadrës. Gjithashtu, na vjen mirë që u arrit kjo miqësore me Lirinë e Prizerinit, pasi ne kemi shumë tifozë në Kosovë dhe sidomos në Prizren. Me këtë ndeshje i japim atyre mundësinë për të na parë nga afër. Gjithashtu forcojmë edhe marrëdhëniet me klubet kosovare. Unë i ftoj të gjithë tifozët nga Kosova, por edhe ato kuksianë që ditën e shtunë të mos mungojnë, por të jenë në Prizren për të shijuar një festë të bukur. Theksoj se Kukësi do të udhëtojë me ekipin e plotë\”, – përfundon Hallaçi në prononcimin e tij.