Një ndër futbollistët që ka ndihmuar më shumë skuadrën është edhe Matija Dvornekoviç. 27-vjeçari po luan sezonin e dytë me verilindorët duke qenë ndër futbollistët më të mirë të skuadrës dhe duke kontribuar jo pak në sukseset e këtij ekipi. Ai ka shijuar edhe dy trofe, Kupën dhe Superkupën. Në një intervistë ekskluzive për “Sport Ekspres”, Dvornekoviç flet për momentin që po kalon dhe tregon edhe të ardhmen e tij.
– Matija, sa e rëndësishme ishte fitorja me Partizanin?
– Ishte shumë e rëndësishme për ne, pasi erdhi në momentin e duhur. Kishim barazuar me Laçin dhe ishim larg Skënderbeut, por treguam se kush jemi dhe kush janë objektivat tona këtë sezon. Më ka kënaqur shumë kjo fitore, pasi ishte shumë e vështirë për shkak se Partizani është një ekip mjaft i vështirë. Të kuqtë janë skuadër që i shënon vështirë, por ne futëm zemrën dhe shpirtin në fushë dhe ia dolëm mbanë.
– Shumë zëra flasin për një fitore jo bindëse…
– Njerëzit gjithmonë do të flasin edhe nëse bëjmë mrekullia. Ne kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë faktikisht dhe teknikisht, pasi e kishim përgatitur në atë mënyrë atë sfidë. Përveç kësaj në fund shihen pikët e grumbulluara dhe ne dolëm me 3 pikë nga ky takim dhe kjo është ajo që ka rëndësi.
– A ishte kjo ndeshja më e vështirë që keni kaluar deri tani?
– Ishte takim shumë i vështirë, por nuk do të them ashtu, pasi e fituam. Më të vështira kanë qenë takimet që nuk kemi marrë 3 pikët.
– Kush nga këto ndeshje ju “djeg” më shumë?
– Takimi me Vllazninë në Shkodër dhe në Laç, pasi në të dyja meritonim fitoren. Në Shkodër i kishim të gjitha mundësitë që të fitonim dhe të shfrytëzonim rastet, por nuk i administruam si duhet. Në Laç mund të them se na u “vjedh” rezultati për shkak të gabimeve të arbitrave.
– Nuk përmendët Tiranën…
– Jam i keqardhur, pasi e kishim takimin në dorë me d gola, por nuk e dominuam takimin si ndaj Vllaznisë dhe Laçit që ishim më të mirë ë çdo aspekt.
– Si e përshkruani momentin që po kaloni te Kukësi?
– Mendoj se jemi në rrugë të mirë, pasi kemi fituar edhe vendin e dytë tashmë dhe po ja dalim mjaft mirë. Kemi gjetur rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë me këto ritme. Nuk ka për të qenë e lehtë, por e dimë këtë gjë.
– Si ndiheni me trajnerin Gjoka?
– Shumë mirë. Ai është një trajner i aftë dhe më pëlqen filozofia e tij e punës. Ka ide të qarta dhe na i përcjell shumë mirë.
– A jeni i kënaqur me formën tuaj, pozicionin dhe minutat në fushë?
– Po, pasi po luaj në pozicionin tim natyral. Kam fituar minutat e mija dhe shpresoj që të shpërblej edhe më shumë besimin e trajnerit dhe presidentit. Dua të jap më të mirën për Kukësin.
– Besoni se do të fitoni titullin kampion?
– Kemi një ekip të mirë, me objektiva të reja. Kemi një trajner të ri. Fryma është mjaft pozitive dhe besojmë se në fund do të gëzojmë ne.